Miresevini ne HacK Group Ju Lutemi pare se regjistroheni te Prezantoheni

    Njohuri per P.C

    Share

    benardi
    Admin
    Admin

    Numri i postimeve: 18
    Join date: 23/06/2009
    Location: Kosove - PRISHTINE - Canada

    Njohuri per P.C

    Mesazh  benardi prej Tue Jun 23, 2009 9:42 pm

    A oshte e vlershme te merresh njohuri te reja per P.C?

    Le të nisemi nga fraza e mësipërme për të trajtuar dhe për të sjellë pranë jush atë se çfarë është edukimi informatik dhe si mund të arrini të bëheni qoftë përdorues të mirë të disa programeve të thjeshtë, e deri tek profesionistë të kësaj fushe. Parimisht, edukimi kurrsesi s’mund të shihet si shpenzim, por si një investim, madje afatgjatë dhe frytdhënës. Jetojmë në epokën e informatikës, ndryshe thënë informacionit, dhe një nga faktorët kyç për arritjen e suksesit është një bazë e shëndoshë dijesh të kësaj sfere, ndonëse e vetme kjo nuk mjafton. Nëse një ditë mua do të më lindte dëshira për t’ia filluar me kompjuterin, do të duhej fillimisht të dija medoemos se çfarë është kompjuteri dhe ku duhet të drejtohem për të marrë njohuritë fillestare. Në fakt, duhet thënë se gjithsesi ka tre nivele të dijes informatike, të paktën me sa kam kuptuar unë ndërsa kam udhëtuar në këtë fushë: Formimi bazë që përfshin njohuri të përgjithshme mbi kompjuterin, sistemin e shfrytëzimit, si dhe njohuri mbi internetin dhe e-mail-in. Së dyti, formimi praktik, që thënë më gjerë nënkupton aftësimin me njohuri nga programe të cilët përdoren praktikisht në punën e përditshme, siç janë programet e zyrës, programet financiare, programe dizajni, muzikorë, video-editim, arkitekture, ueb, etj. Së fundi, formimi i avancuar, që do të thotë të jesh një ekspert i mirëfilltë i fushës, sigurisht pasi të kesh marrë edukimin e duhur universitar apo edhe pasuniversitar.

    Formimi bazë është një “must have”, një domosdoshmëri, e cila tashmë shfaqet lehtësisht e arritshme, qoftë me kurse, qoftë me mësim autodidakt, edhe pse me këtë të fundit do t’ju duhet pak më shumë kohë. Ose, shumë thjeshtë, nëse jeni në shkollë, mësoni lëndën e informatikës (këtë jua këshilloj) dhe kjo është më e leverdisshme. Formimi bazë nevojitet patjetër, nëse e mendoni veten në një punë që sado pak e përfshin përdorimin e kompjuterave.

    Teksa formimin bazë mund ta merrni edhe në shkollë, formimi praktik është ai në të cilin shkollat shqiptare, qofshin ato të mesme apo të larta, kanë një boshllëk, të cilin, e kanë përmbushur qendrat private të ofrimit të kurseve. Formimi praktik është i domosdoshëm kur punoni ose synoni të punoni në një zanat që përfshin përdorimin aktiv të kompjuterit. Për shembull, unë e kam të paimagjinueshme që një student të ketë mbaruar shkollën e lartë për financë dhe ai të mos dijë të përdorë programin Alpha ose Financa. Është po aq e paimagjinueshme që një student të mbarojë studimet për Inxhinieri Ndërtimi e të mos dijë të përdorë Autocad-in. Shembuj të tillë për profesionistët ka plot, por këtu mund të përmendim edhe aspektet e tjera, siç janë ato të fotografisë, ku pa njohuri kompjuterike nuk mund të pastrosh dritën e tepërt që ke marrë gjatë fotografimit të dasmës tënde, apo qoftë edhe të përgatisni një disk muzikor për një mik a për një mikeshën tuaj.

    Teksa është e mundur që të vetëaftësoheni edhe për njohuritë praktike, për to keni më shumë nevojë për një udhëzim profesional dhe një guidë që kurset private e ofrojnë më mirë se shkolla. Kjo është edhe metoda më e shpejtë e më mirë, krahasimisht nga sa do t’i fitonit vetë këto njohuri. Dhe këtë vetëm pak qendra e ofrojnë me cilësi; qendrat e mëdha e me përvojë të kurseve.



    Si vlerësohet një kurs?
    Nëse po vlerësoni alternativat për të ndjekur një kurs të tillë, merrni paraprakisht nga disa qendra programin e kursit, i cili medoemos duhet të përfshijë edhe kohën që i kushtohet një teme të caktuar, dhe bëni vlerësimin e kostos për orë. Gjithmonë duke i dhënë një peshë të madhe programit dhe kohëzgjatjes së kursit. Por mos vlerësoni vetëm anën financiare të shpenzimeve, pasi më e rëndësishme është të merrni njohuri të sakta e të plota, qoftë edhe duke paguar pak më shumë.





    Intervisë me z.Ervin Nallbani, specialist IT pranë Raiffeisen Bank

    Çfarë është një IT?
    IT (Information Technology) është një koncept i përgjithshëm, i cili përdoret si lidhës midis informacionit dhe pajisjeve kompjuterike. Në zhargonin e përditshëm, me IT etiketohet shkurtimisht edhe specialisti i IT.

    Pse zgjodhët dhe si arritët të jeni IT?
    Në shkollën e mesme kam marrë edukim teknik në fushën e elektronikës. Kjo më shërbeu si orientim për të vazhduar më pas degën e Informatikës. Mund të them se kjo është zgjedhja ime e duhur, përderisa ndjej kënaqësi në këtë drejtim. Orët e zgjatura para PC dhe dëshira për të provuar sa më shumë zgjidhje informatike, më kanë ndihmuar të arrij të bëhem pjesë e kësaj fushe.

    Sa kohë në ditë ju merr informatika dhe a ka një ditë në javë që nuk punoni fare me kompjuterin?
    Në ditët e javës unë jam i angazhuar mesatarisht 8-10 orë, ndërsa për fundjavë rastis ndonjë e diel në muaj që nuk arrij të hap PC.

    Si ia bëni të përditësoheni apo të rifreskoni njohuritë rreth informatikës, një fushë kjo që ndryshon nga dita në ditë?
    Internet. Nuk ka sesi të mos e përmend. Lidhur me punën, herë pas here ndjek ndryshimet dhe të rejat në produktet e Microsoft dhe IBM.

    Ç’ju shtyn të ndiqni të rejat e fushës dhe në ç’mënyrë i thelloni njohuritë kompjuterike?
    Kërkesat e biznesit rriten çdo ditë dhe shërbimet IT duhet të përmirësohen po me të njëjtin ritëm. Çdo kërkesë e re ka nevojë për një studim përpara implementimit të zgjidhjes.

    A ofron Shqipëria mundësi për të marrë njohuri që të bëjnë profesionist?
    Unë kam vënë re se fqinjët e Shqipërisë kanë ecur më përpara në fushën e IT, por edhe vendi ynë i ka dhënë mundësi të rinjve të plotësojnë njohuritë në këtë fushë. Këto 2-3 vitet e fundit po vendosen njësitë matëse të profesionalizmit dhe do të shihet se IT në Shqipëri do të jetë në nivel të kënaqshëm.

    A është motivues tregu shqiptar i punës, apo largimi nga Shqipëria do të ishte më ndjellës?
    Si në çdo fushë, eksperiencat e fituara në vendet e zhvilluara do të sjellin rritje të cilësisë së shërbimeve IT në vendin tonë. Tregu shqiptar është ende në fillesat e tij lidhur me nevojat ndaj IT, dhe është i hapur, motivues dhe sigurisht fitimprurës për çdo specialist IT.

    Ç’do të kishit për t’i thënë aspirantëve drejt Teknologjisë së Informacionit?
    Studimi i zgjidhjeve të reja në fushën e IT dhe implementimi i tyre i suksesshëm, pa u kufizuar në madhësitë e tyre. Edhe zgjidhjet për gjëra të thjeshta, do të jenë një hap i duhur për të ngritur infrastrukturë të qëndrueshme dhe sukses për çdo specialist IT.



    Intervisë me z.Juxhin Deçka, specialist IT pranë MASH

    Çfarë është një IT?
    Shkurt e shqip, IT quhet një specialist që menaxhon teknologjinë e informacionit në një institucion të caktuar.

    Pse zgjodhët dhe si arritët të jeni IT?
    Përfundimi i studimeve universitare në degën e inxhinierisë elektronike mendoj se të aftëson mjaftueshëm për të përmbushur detyrat e një IT-je. Sigurisht që kësaj i duhet shtuar edhe shumë përkushtim dhe dëshirë për punën që bën. Zgjedhja ime i ka rrënjët në dëshirën për të nisur studimet universitare në elektronikë, e cila ndoshta lidhet me kuriozitetin e çdo të riu për zhvillimin aq të shpejtë e të prekshëm që vjen përditë nga kjo fushë.

    Sa kohë në ditë ju merr informatika dhe a ka një ditë në javë që nuk punoni fare me kompjuterin?
    Informatika më merr detyrimisht 8 orë në ditë, por oraret shtesë nuk janë të rralla, si rezultat edhe i rëndësisë dhe detyrave pafund që Drejtoria jonë në MASh duhet të përmbushë. Le të bëjmë një mesatare prej 10 orësh. Ndërsa fundjavave, të cilat ia kushtoj familjes, miqve dhe gjahut, mund të kem shumë pak ose aspak kontakt me kompjuterin.


    Si ia bëni të përditësoheni apo të rifreskoni njohuritë rreth informatikës, një fushë kjo që ndryshon nga dita në ditë?
    E vërtetë. Përditësimin me fushën e kryej përmes zhvillimit të projekteve të ndryshme, përmes praktikës së punës që të përball me llojlloj çështjesh për të zgjidhur, si edhe përmes kurseve që i shoh të nevojshme. Lundrimi i vazhdueshëm në Internet mbetet alternativë e shkëlqyer për të përmbushur vakuumin që krijon avancimi galopant i teknologjisë. S’ka shumë që jam edhe abonent i revistës ZERO. I kompletuar, apo jo?

    Ç’ju shtyn të ndiqni të rejat e fushës dhe në ç’mënyrë i thelloni njohuritë kompjuterike?
    Kjo është e natyrshme për një IT. Pa u njohur me të rejat e fushës, nuk mund të jesh në nivelin e detyrës. E pastaj është edhe kënaqësi.

    A ofron Shqipëria mundësi për të marrë njohuri që të bëjnë profesionist?
    Për fazën në të cilët ndodhet Shqipëria lidhur me teknologjinë e informacionit, mendoj se këtu ka mundësi të bëhesh profesionist. Bazat e marra në universitet, përvoja në praktikë, kurset dhe certifikatat e njohura botërisht, mundësitë për specializime (qoftë edhe online), si dhe shumë dëshirë për t’u rritur profesionalisht, të gjitha këto ta hapin udhën drejt këtij qëllimi.

    A është motivues tregu shqiptar i punës, apo largimi nga Shqipëria do të ishte më ndjellës?
    Është përherë e më tepër motivues, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat. Largimin nga Shqipëria nuk e kam konsideruar ndonjëherë, pasi humbjet janë më të mëdha se fitimet e imagjinuara.

    Ç’do të kishit për t’i thënë aspirantëve drejt Teknologjisë së Informacionit?
    …keni bërë zgjedhjen e duhur. E ardhmja në masë të madhe i përket informatikës. E rëndësishme është mbajtja gjallë dhe ushqimi i pasionit për fushën. Gjithashtu, kësaj rruge ka mjaft argëtim. Pra, studioni vazhdimisht dhe argëtohuni!



    Formimi i avancuar zakonisht nuk arrihet vetëm me anën e kurseve, edhe pse ekzistojnë kurse formimi specifike profesionale. Për formimin e avancuar, gjithmonë flas në fushën e informatikës, duhet të keni një bazë të mirë njohurish nga studimet e larta në këtë fushë, dhe një vullnet të fortë për t’u thelluar në temat që dëshironi të jeni profesionistë.

    Ku?
    Vendndodhjet e qendrave të ofrimit të kurseve janë mjaft të shpërhapura, flasim gjithmonë për Tiranën, por qendrat kryesore ndodhen rreth qendrës së Tiranës. Ndërkohë që një kurs formimi bazë mund ta gjeni edhe afër shtëpisë dhe nuk ia leverdis të bëni rrugë të gjatë për një kurs të tillë, për një kurs formimi praktik duhet të viheni pak në lëvizje, qoftë edhe fillimisht për gjetjen e më të përshtatshmit. ZERO ju vjen në ndihmë renditur edhe adresat e disa qendrave kryesore që ofrojnë kurset në Tiranë, me çmimet dhe kohëzgjatjen përkatëse. Gjithashtu, thuajse në çdo qytet të Shqipërisë mund të gjeni kurse kompjuteri, por vështirë të pjesëmerrni në një kurs profesional. Pra, sa po shkruajmë këtu është e vlefshme për gjithë lexuesit tanë.

    Kurset e avancuara të formimit kërkojnë një angazhim më të madh, si nga ana financiare, ashtu edhe për kohën e kryerjes. Në Tiranë ekzistojnë qendra me të vërtetë profesionale që ofrojnë kurse dhe certifikime të niveleve ndërkombëtare, por duhet të investoni në mënyrë konsistente për ta arritur këtë nivel. Qendrat e kurseve Lincoln, ICT dhe Kolegji Harry Fultz ju japin mundësi të aftësoheni për Administrator Rrjeti, teknik A+, CCNA e të tjera.

    Në vazhdim të artikullit, përmes intervistave, kemi menduar t’ju sjellim edhe përvojën e dy profesionistëve IT, të cilët ushtrojnë suksesshëm profesionin e tyre në sektorin publik dhe atë privat. Kjo për t’ju qartësuar rëndësinë dhe mundësitë që sjell thellimi në njohuritë e fushës.



    Sa kushton?
    Tarifat larmojnë nga njëra qendër në tjetrën, edhe pse janë mesatarisht të përafërta. Kurset e formimit bazë luhaten mes 5.000 dhe 7.000 Lekë. Ndërsa kurset e formimit praktik janë më të shtrenjtë, dhe në disa raste me ca si shumë kripë. Për kurset e avancuara, siç përmendet më sipër, kërkohet një përkushtim më i madh dhe këtu nuk do të përmendim çmime, për faktin e thjeshtë se, nëse e kërkoni ta arrini këtë nivel, duhet të diskutoni personalisht me ofruesit e kurseve.



    A ka alternativa?
    Natyrisht që po! Nëse keni vullnet dhe dëshirë për t’u aftësuar dhe s’doni të shpenzoni për kurse (sepse mendoni se mund t’ia dilni vetë mbanë, apo nuk keni kohë të ndiqni një kurs), atëherë autodidaktika s’ka qenë kurrë më e thjeshtë se sa sot. Në internet ka një pafundësi udhëzuesish praktik në gjuhën angleze, italiane, franceze, etj., të cilët ju udhëheqin në përmirësimin e njohurive tuaja. Ka disa faqe ueb që ofrojnë gratis guida praktike, madje në disa raste edhe interaktive, për të mësuar njohuri informatike:

    www.gcflearnfree.org ofron kurs online pa pagesë për një formim bazë mbi sistemin e shfrytëzimit Windows dhe paketën Office, plus edhe një provim mbi mësimet e ofruara. Në këtë faqe, pas regjistrimit, mund të përdorni të gjithë bibliotekën informatike të këtij portali mësimor.

    www.baycongroup.com ofron tutoriale të detajuara për Windows dhe Office, më të hollësishme se www.Gcflearnfree.com . Këtu gjeni edhe një udhëzues praktik të sistemit të ri të shfrytëzimit të Microsoft, Windows Vista, si edhe të Office 2007.

    www.teacherclick.com ofron tutoriale për Windows XP dhe Web Design, me programet Dreamweaver dhe Flash. Madje ofron edhe animacione në formatin flash, të cilat bëhen profesori juaj në mënyrë interaktive.

    www.we-r-here.com/cad/ ofron tutoriale online për mësimin e Autocad 2005, 2007, 2008.

    Këto dhe shumë të tjera i gjeni online nëse kërkoni me Google për programin që synoni të mësoni.



    By: BENARD VERBOVCI I love you

      Ora është Mon Oct 20, 2014 11:17 am